FSHF hedh hapin e madh: hotel modern për të gjitha ekipet kombëtare pranë “Shtëpisë së Futbollit”

Federata Shqiptare e Futbollit është pranë nisjes së një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore, me ndërtimin e një hoteli modern pranë kompleksit “Shtëpia e Futbollit”. Projekti synon të sigurojë akomodim të dedikuar për të gjitha ekipet kombëtare, nga Kombëtarja A e meshkujve dhe femrave deri te ekipet e moshave, gjatë grumbullimeve dhe turneve zyrtare.
Hoteli do të ketë pesë kate mbi tokë dhe dy nëntokë, me gjithsej 87 dhoma, restorante, salla konferencash dhe hapësira funksionale. Kapaciteti i tij do të lejojë akomodimin e deri në katër ekipeve kombëtare njëkohësisht, ndërsa projekti parashikon edhe parkim, ambiente magazinimi, si dhe facilitete si pishinë dhe palestër.
Punimet pritet të nisin menjëherë pas miratimit të lejes së ndërtimit, për të cilën FSHF ka aplikuar tashmë. Ky investim konfirmon përkushtimin e Federatës për krijimin e kushteve optimale për ekipet kombëtare dhe për afrimin e kompleksit “Shtëpia e Futbollit” me standardet më të avancuara europiane.
